Vendet në të gjithë Indinë kanë filluar ta deklarojnë një epidemi të “kërpudhave të zeza”, derisa rastet e infeksionit fatal të rrallë shpërthejnë tek pacientët që po shërohen nga COVID-19.
Sipas The Guardian, sëmundja e kërpudhave, e quajtur mukormikozë, ka një normë vdekshmërie prej 50%.
Sëmundja prek pacientët fillimisht në hundë, por pastaj mund të përhapet në tru dhe shpesh mund të kurohet vetëm me operacion të madh duke hequr syrin ose pjesën e kafkës dhe nofullës.
Zakonisht është një sëmundje e rrallë, por në Indi deri më tani janë raportuar më shumë se 7.200 raste me mukormikozë derisa 219 persona kanë vdekur.
Rritja e infeksioneve të “kërpudhave të zeza”, kryesisht tek pacientët që kishin raste të rënda të COVID-19, ka qenë e lidhur me një përdorim të tepërt të steroideve në trajtimin e coronavirusit, që mund të rrezikojë në mënyrë akute sistemin imunitar nëse merret për një periudhë të zgjatur.
Incidenca e lartë e diabetit në Indi gjithashtu është vlerësuar si shkaktar, me nivele të larta të sheqerit në gjak të lidhura me ndjeshmërinë. India ka nivelin e dytë më të lartë në botë të diabetit, përcjell Telegrafi.
Sëmundja u raportua gjithashtu në pacientët me COVID-19 të cilët ishin në ventilatorë në njësitë e kujdesit intensiv, për shkak të rrugëve të tyre të frymëmarrjes të cilat ishin të ekspozuara ndaj lagështisë.