Komuna e Malishevës ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për dezinsektim kundër rriqrave, përcjell InLajmi.
Kjo është bërë e ditur nga komuna e Malishevës ku është mbajtur takim i radhës së shtabit komunal për menaxhimin e situatës me endeminë e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) në këtë komunë.
Gjatë këtij takimi është vlerësuar se situata është e qetë dhe në kontroll, por për mirëmbajtjen në kontrollë të situatës duhet të merren masa parandaluese.
Postimi i plotë:
Shtabi komunal për menaxhimin e situatës me endeminë e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK) në Komunën e Malishevës, sot e ka mbajtur takimin e radhës, ku është shqyrtuar situata me EHKK dhe përgatitjet për fillimin e dezinsektimit kundër rriqrave, si njëra nga masat parandaluese për luftimin dhe parandalimin e EHKK.
Në këtë takim, ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori për shëndetësi, Liridon Hoti, drejtor për mbrojtje dhe shpëtim, Hafir Rexha, koordinatori i shtabit, Halit Mazreku dhe përfaqësuesi i kompanisë që do të bëjë dezinsketimin në territorin e Malishevës.
Në këtë takim, u vlerësua se situata është e qetë aktualisht dhe në kontroll të plotë, por për mbajtjen e në kontroll të kësaj situata, duhet të merren edhe masat parandaluese, të cilat janë kompetencë e komunës. Për këtë qëllim, janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e fushatës së dezinsektimit, e cila pritet të filloj së shpejt.
Edhe në këtë takim, shtabi komunal emergjent, ka shprehur pakënaqësinë lidhur me mos zhvillimin e procesit të repelimit të kafshëve, që është kompetencë e Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, që tani e tri vite me radhë nuk janë duke e realizuar repelimin e kafshëve, e që konsiderohet si masa më efektive në luftimin dhe parandalimin e EHKK. /InLajmi/