Gjykata Speciale së fundmi ka refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ka dhënë një mundësi për ta. Nesë një shtet i tretë shfaq gatishmëri, mund t’i pranojë ata duke i monitoruar si të dyshuar, pra të ofrojë garancë për ta.
Kjo është specifikuar nga vet Specialja ku thuhet se nëse brenda kornizës ligjore një shtet paraqet ofertë për lirimin me kusht të tyre kjo mund të ndodh.
“Një shtet i 3-të që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhet në vendim.
Këtë garancë mund ta ofrojë edhe Kosova. Kështu ka thënë njohësi i çështjeve juridike nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj. Ai madje ka thënë se vendi i parë në raport me shtetet e tjera është Kosova.
Më tutje, Miftaraj ka thënë se shtetet e fuqishme që kanë sponsorizuar Specialen nuk mund të dalin garant.
Sipas Miftarajt, ish-krerët e UÇK-së janë treguar shumë bashkëpunues dhe s’ka asnjë arsye të mbahen më tepër së një vit në paraburgim. Ai më tutje ka thënë se edhe pa garancën e Kosovës ose të ndonjë shteti tjetër, në momentin që gjykimi kalon në shqyrtim gjyqësor të akuzuarit do të mbrohen në liri.
“Vend i 3-të per te dhene garanci lidhur me te akuzuarit ne Hagë, është edhe Kosova, ose thënë ndryshe është vendi i parë në raport me shtetet tjera. Shtetet e fuqishme që kanë qenë sponzorizues dhe promovues te Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje në procesin gjyqesor, për shkak se kjo gjykate financohet kryekëput nga keto shtete, prokuroret dhe gjykatesit vinë mu nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rendësi jo vetëm pavaresisë në ligj dhe procedure, por edhe ne dukje, dhe perceptimit ne publik. Të gjithe te akuzuarit në Hagë (ketu nuk flas per ata qe akuzohen per pengim ne administrimin e drejtesise) kanë qenë jashtëzakonisht bashkepunues, dhe në bazë te praktikes, ligjit mbi dhomat e specializuara dhe rregullave te brendshme nuk do te duhej te mbahen me shume se nje vit ne paraburgim. Ne skenarin me te keq, me ose pa garance nga Kosova ose nje shtet i trete, ne momentin qe gjykimi kalon ne shqyrtim gjyqesor te akuzuarit do te mund te mbrohen ne liri. Përjashtimisht, kjo mase mund të ndryshoj nëse nuk i respektojnë masat dhe kufizimet që mund te ua përcaktoj gjykata. Nuk ka logjike qe një proces gjyqesor i drejte që promovon të drejtat dhe lirite e te pandehurve ti mbaj në paraburgim të akuzuarit pesë vite aq sa pritet të zgjas procesi gjyqësor në shkallë të parë”, ka shkruar Miftaraj.
Në anën tjetër, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka deklaruar publikisht se tashmë janë katër shtete që kanë ofruar garancë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas Kroacisë tani edhe Austria dhe Sllovenia ofrohen garant të lirimit me kusht të të arrestuarve në Hagë”, tha Berisha para dy ditësh në Facebook derisa mbrëmë në T7 ai deklaroi se garancë të tillë ka ofruar edhe Izraeli.
Ndër të tjera, Berisha nëpërmjet postimit të tij në Facebook ka kërkur nga Presidentja e Kosovës, Kryeministri ose Kryeparlamentari të veprojnë institucionalisht dhe të ofrojnë garancë për ish-krerët e UÇK-së.
Se Kosova duhet të japë garancë për ish-krerët e UÇK-së ka deklaruar edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Ai në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se është më e pakta që institucionet e vendit do të duhej të bënin për qytetarët e vet.
“Jam shumë i bindur se asnjëri nga krerët e UÇK-së, të cilët tani po përballen me akuza në Dhomat e Veçanta në Hagë, nuk paraqesin rrezik për drejtësinë, nëse do tu lejohej të mbrohen në liri. Të gjithë ata kanë treguar gatishmëri të përballen me drejtësinë. Është më e pakta që institucionet e larta të vendit do duhej të bënin për qytetarët e vet. Pozitat e larta kërkojnë edhe marrje të përgjegjësisë së lartë, të pëlqeu apo jo”, ka thënë Mustafa, shkruan Gazeta Metro.
Lidhur me këtë çështje ka pasur reagime të shumta nga skena politike dhe shoqëria civile se Kosova duhet të japë garancë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por deri më tani nuk ka pasur as deklarata nga liderët e shtetit.