Nga refugjatë në stol te njëri nga stadiumet më legjendare në Itali dhe jo vetëm.
Fjala është për talentin nga Gambia, Ebrima Darboe i cili ka bërë ëndrrën e tij realitet, duke u grumbulluar për herë të parë nga Roma.
Mesfushori i talentuar kishte mbërritur në Itali në vitin 2017 pas një rrugëtimi të gjatë nga shteti i tij Gambia.
Darboe kishte kaluar gjashtë muaj rrugëve për të mbërritur në Sicili nga Gambia, një rrugëtim me shumë vuajtje.
Në atë kohë Darboe ishte i mitur dhe i vetëm pa prindërit e tij gjatë rrugëtimit gjashtë mujor.
Me të mbërritur në Itali ai ka stërvitur për një vit e gjysmë me të rinjtë e Romës, por pa pasur të drejtë loje për shkak disa procedurave burokratike pasi ai nuk kishte fare dokumente.
Darboe debutimin me të rinjtë e Romës s bëri vetëm në muajin janar të këtij viti, në ndeshjen ndaj Atalantës ku luajti 20 minuta.
Afrikani ngadalë e ka zënë një vend titullari tek Roma U19 dhe është bërë shumë i rëndësishëm në pozitën e mesfushorit qendror.
Në mungesë të shumtë lojtarëve të lënduar, trajneri i Romës, Paulo Fonseca e ka ftuar Darboen në ekipin e parë për ndeshjen ndaj Milanit dhe lojtari ishte në bankën rezervë.
Roma e ka shpërblyer lojtarin me një kontratë katër vjeçare, ku Darboe fiton 80 mijë euro pagë vjetore, transmeton telegrafi.
Djaloshi i talentuar vazhdon ta mbajë familjen e tij në Gambia me pagën te Roma, derisa në Itali shkruajnë se ai pritet së shpejti të debutoj në Serie A.
Një sakrificë e madhe, vuajtje të pafundme, por në fund gambiani ka arritur qëllimin e tij, është bërë pjesë e një klubi gjigant dhe e ardhmja është në duart e tij.