Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundit ka thënë se në procesin e dialogut po mungojnë shumë informacione, përcjellë InLajmi.
Abdixhiku ka shkruar duke ju drejtuar kryeministit se të bëhesh viktimë kur s’je është e panevojshme.
Ai gjithashtu ka treguar se nga Avdullah Hoti, Albini ka pranuar dosjen e kaltërt ku janë 29 faqe raport.
Postimi i plotë i tij:
Kryeministër,
Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi.
Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim.
Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish.
Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.
Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë. /InLajmi/