Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ua ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë Muajin e Ramazanit.
Me këtë rast Osmani tha se në këtë muaj të gjithë do ta kenë mundësinë për ta manifestuar shpirtin solidar duke ndarë diçka nga tryeza e tyre për të tjerët, për njerëzit në nevojë.
“Kombi ynë e ka mënyrë jetese solidaritetin ndër vete. Sot kur besimtarët myslimanë e fillojnë Muajin e Ramazanit, të gjithë do ta kenë mundësinë për ta manifestuar shpirtin solidar duke ndarë diçka nga tryeza e tyre për të tjerët, për njerëzit në nevojë”.
“Pandemia COVID-19, sigurisht që do të na mbajë larg njëri-tjetrit fizikisht, porse nuk do të na ndalojë që zemrat tona të bëhen bashkë.Në mënyrë që në fund të këtij muaji të festojmë të gjithë së bashku, ju ftoj t’i respektoni masat mbrojtëse kundrejt COVID-19, t’i mbani maskat, t’i dezinfektoni duart dhe të mos grumbulloheni”.
“Të kujdesemi për njerëzit tanë, sepse vetëm në këtë mënyrë festa do të ketë kuptim! Ky muaj i sakrificës dëshmon se njerëzit kanë vullnet të jenë për tjetrin, duke i dhënë kuptim përmbajtjes njëmuajshe nga ushqimi dhe duke sjell në vëmendje se të mirat ka mundësi gjithnjë të ndahen me të tjerët”, shkruan KlanKosova.
“Solidariteti dhe paqja e ndërsjellë e përcjelltë këtë muaj! Atyre që do të sakrifikojnë gjatë këtij muaji, u qoftë agjërim i lehtë!”.