Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurës V.K., për shkak të dyshimit se e njëjta ka ushtruar dhunë ndaj 2 fëmijëve të saj të mitur.
Sipas njoftimit Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës V.K. shtetase e Republikës së Kosovë Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës nga neni 243 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se pandehura më 08.04.2021 dhe 10.04.2021, ka ushtruar dhunë ndaj 2 fëmijëve të vetë (të mitur),për çka të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa aktualisht janë strehuar në një strehimore në Ferizaj”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.