Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi ka reaguar pas njoftimit se Albin Kurti do ta marrë i pari vaksinën kundër koronavirus, përcjellë InLajmi.
Bytyçi ka thënë se shumë liderët politik në botë e kanë marrë vaksinën për të ju treguar popullit se nuk janë të rrezikshme.
Ai ka shtuar se rasti i Albinit është krejt e kundërt se janë disa kategori që janë më të rrezikuara se sa ai.
Postimi i plotë i tij:
Në shumë vende të botës, liderët politikë e kanë marrë të parët vaksinën për t’i dëshmuar shoqërisë se vaksina anti-covid nuk është e rrezikshme, duke u dhënë shembull qytetarëve të atij vendi.
Rasti i Kosovës është e kundërta. Kryeministri sot nuk do të duhej të ishte i pari, por i fundit që do të vaksinohej. E para, Albini e ka kaluar Covidin një herë. E dyta, janë disa kategori që janë më të rrezikuar, siç janë mjekët, infermierët, policët dhe kategoritë tjera, duke përfshirë shumë qytetarë në moshë të shtyrë dhe të sëmurë.
Me një numër kaq të kufizuar të dozave, Albin Kurti do të duhej që ta priste rendin e tij sipas një kategorizimi të duhur në bazë të nevojave e jo të vrapojë që ta marrë i pari atë. Së pari, le ta kryej punën e tij si kryeministër e le t’i sigurojë dozat tjera. Këto vaksina janë lëmoshë për kategorinë më të rrezikuar e jo për politikanët, që edhe ashtu i kanë kushtet e shërbimet më të mira.
Nëse nuk ju duken këto argumente të mjaftueshme, shikojeni kancelaren gjermane, Angela Merkel që e pret rendin e saj, edhe pse vaksina është zbuluar nga dy shkencëtarë gjermanë! /InLajmi/