Kremlini tha të martën se qëllimisht ka vendosur që ta mbajë të fshehtë emrin e vaksinës ruse që do t’i jepet presidentit Vladimir Putin.
“Ne qëllimisht nuk do të tregojmë se cilën vaksinë do ta marrë presidenti, duke theksuar se të 3-ja vaksinat ruse janë absolutisht të besueshme dhe efektive”, tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shkruan Reuters.
Ai njoftoi se Putini ndoshta do ta marrë vaksinën të martën në mbrëmje dhe se vaksina do të jetë njëra nga 3 vaksinat ruse, transmeton Gazeta Express.
Peskov shtoi se presidenti rus ka bërë shumë për t’i promovuar vaksinat ruse, më e famshmja e të cilave është vaksina “Sputnik-V”. Moska tashmë ka miratuar edhe 2 vaksina tjera për përdorim emergjent kundër sëmundjes Covid-19. Ato quhen “EpiVacCorona” dhe “CoviVac”.