Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se VV-ja gjatë fushatës elektorale ka dhënë shumë zotime për skemat sociale, por nuk ka treguar sesi do të realizohen e financohen ato.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ymerit tha se qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në zvogëlimin e hendekut në mes të varfërve dhe të pasurve, në procesin më të mirë të rishpërndarjes se pasurisë, në krijimin e kushteve më të mira të punëtorëve në Kosovë, dhe veçanërisht duhet të fokusohet në krijimin e më shumë vendeve të punës, e që ju jepet përparësi më shumë grave dhe të rinjve.
“Këto janë katër pika të transformimit shoqëror që duhet t’i bëjë VV-ja. Nëse nuk i bën mendoj se ka dështua me i realizua premtimet e veta”,tha ai.
“Fatkeqësisht deri tani nuk kam parë që Lëvizja Vetëvendosje ka tregu sesi do të financohen këto skema, pra i ka dhënë si zotime, premtime të fushatës por nuk ka tregu saktë sesi do të realizohen këto, dhe mendoj që nuk kemi ndonjë analizë, të paktën të efekteve që këto do t’i arrijnë.
Në Kosovë, numri i grave punëkërkuese me shkollim të lartë është më i madh se sa numri i burrave, sipas Agjencisë së Statistikave. Ndërsa numri i të papunëve është i lartë tek gratë. Drejtori i institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Ymeri thotë se institucionet duhet të marrin masa më rigoroze që të përmirësojnë raportin e grave dhe të burrave në punësim.
“Por ndryshimi i kësaj e kërkon një transformim shoqëror, pra ky transformim nuk mund të bëhet përmes një mase, pra duhet disa masa që ky transformim shoqëror të realizohet. Pagesat pastaj që janë për pushimin e lehonisë për gratë e papuna që është 250 euro në muaj, kjo si masë mund të doket e mirë por realizimi i saj, së pari financimi i saj do të jetë sfidë dhe e dyta, pastaj me këtë masë mund të krijojmë ose ta mirëmbajmë një gjendje shoqërore në të cilën gruaja pritet të jetë ajo e cila rrinë në shtëpi”
Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të miratoj nismën për Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Evropiane për Investime. Sipas qeverisë, kjo marrëveshje është për financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe qasjen në vaksinat kundër Covid-19.
Ymerit thotë se marrja e kredive nuk është shqetësim për vendin, por se ku shpenzohen ato para është me rëndësi të dihet.
“Nuk gjendet vetëm Kosova në krizë ekonomike por i tërë globi e veçanërisht hemisfera perëndimore. Në këtë drejtim konsideroj që krizat e thella ekonomike, pavarësisht se në cilin vend dhe në cilën epokë ndodhën ato, nuk mund të përballohen pa pasur një stimulim financiar që vjen nga jashtë, e ky stimulim financiar vjen nga institucionet publike në formë të kredisë që merret nga bankat tjera ose në forma tjera, mund të jetë edhe borxh i brendshëm”.
“Unë nuk e kam problem borxhin publik ose rritjen e tij, por më shumë e kam shqetësim se ku po shpenzohen ato para dhe për çka po i marrim do të thotë, një qeverisje e mirë, një qeverisje që ka vizion të zhvillimit ekonomik do ta financonte me kredi nga jashtë ose me borxh publik të brendshëm, pra prej bankave këto Fondi pensional e kështu me radhë”
“Tash në programin e Lëvizjes Vetëvendosje që nuk është shqua shumë në këto zgjedhje, por që ka qenë më shumë i theksuar në zgjedhjet e vitit 2019 ka qenë ideja e krijimit të një Bankë Publike që do të merrej me investimin strategjik të projekteve strategjike. Unë mendoj se kjo ishte ide shumë e mirë, këtë ide e ka pasë të theksuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në programin e vet ekonomik dhe mendoj se kjo do të duhet të ishte rruga përpara sepse bizneset në Kosovë edhe pa krizë, e veçanërisht për shkak të krizës, duhet t’i krijojnë mundësi të qasjes në kapital i cili është i leverdishëm dhe i përballueshëm”, u shpreh ish lideri i VV-së.
Tutje, ish-deputeti i Kosovës thotë se deri më tani nuk ka pasur ide transformative të ekonomisë nga asnjë parti politike.
“Pra deri tash, bankat në Kosovë nuk është se e kanë krijuar këtë mundësi sepse kamatat kanë qenë shumë të larta dhe në këtë drejtim konsideroj se duhet të kemi intervenim nga institucionet shtetërore që qasja në kapital të bëhet më e lehtë për bizneset në Kosovë, por pastaj duhet të ketë seleksionim të sektorëve strategjik. Për shembull, cilët sektor ne mendojmë me investua për të ardhmen, cilët sektorë krijojnë më shumë punësim, cilët sektorë krijojnë mundësi eksporti. Pra, kjo do të duhej të ishte logjika ekonomike që përdoret veçanërisht në kohëra krize.
Deri tash fatkeqësisht nuk kemi parë se ka pasë një ide transformative të ekonomisë, fatkeqësisht as nga VV-ja në 50 ditë e qeverisjes. Gjithsesi nuk mund ta gjykojmë se ka qenë shumë shkurt dhe nuk mund të flasim shumë për atë periudhë, por mendoj që tashmë meqenëse nuk ka nevojë për koalicion me një parti tjetër, që VV-ja mund ta bëjë qeverinë e vetme në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe, atëherë e ka më të lehtë të qeverisë sipas idesë origjinale të saj dhe nëse këtë nuk e bën VV-ja mendoj se e humb një shans të rëndësishme për t’i ndërmarr disa veprime që do të na transformonin si ekonomi dhe rrjedhimisht edhe si shoqëri”, tha ai.