Kandidati për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si hap të gabuar të LDK-së rrëzimin e Qeverisë Kurti dhe krijimin e qeverisë së re, siç e cilësoi, jostabile.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai u shpreh se në lidhje me këtë vendim kishte votuar me abstenim.
“Në mbledhje kemi qenë 2 zëra kundër, i zonjës Osmani që ka qenë kategorikisht kundër dhe i imi abstenues”.
“Ky ka qenë më tepër akt i imi, mendim i imi i pavarur, të cilin e kam përkthyer më pas edhe në abstenim në procese tjera, siç ishte pjesëmarrja në Qeveri. Kur kam hequr dorë prej postit të ministrit, kam heq dorë edhe prej të gjitha beneficioneve tjera”.
“Mendimet janë te vlefshme të secilit, të ketë mendim kritik. Kështu ka ndodhur në LDK, ka vendosur shumica se nga do te shkojë. Me rëndësi është te ketë debat e diskutim. Edhe abstenimi është pjesë e mendimit politik”.
“Unë dhe disa kolegë të mi kemi bërë përpjekje që ta nxjerrim LDK-në në situatë më të mirë, por përpjekjet kanë qenë të pasuksesshme të asaj kohe”.
“Të rrëzosh një qeveri në kohë pandemie dhe më pas të ndërtosh një qeveri jostabile me partnerët tjerë, ka qenë gabim. Qëllimi ka qenë i mirë, njerëzit që kanë marr këso vendime kanë pasur qëllime të mira sepse kanë pasur presionin e komunitetit ndërkombëtar, por e kam thënë gjithmonë se qëllimet e mira jo gjithmonë japin rezultatet e mira”, deklaroi Abdixhiku.