Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur profesionist brilant, diplomat me kulturë, qytetar të ndershëm dhe intelektual të angazhuar Zejnullah Grudën, profesorin e shquar i cili ndërroi jetë një ditë më parë, përcjellë InLajmi.
Kurti vlerësoi lartë punën dhe kontributin e Prof. Zejnullah Grudës duke theksuar se librat e tij do të jenë përherë në biblotekat tona publike dhe private, kurse kujtimi për të do të jetë përjetë i paharruar.
Ai u shpreh ngushëllime familjes, studentëve e profesorëve dhe mbarë popullit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Profesor i shquar. Diplomat me kulturë. Profesionist brilant. Qytetar i ndershëm. Intelektual i angazhuar. Njeri fisnik. Zejnullah Gruda na la dje në ditën e mësuesit. I tillë ishte: mësues, për të gjithë ne që e njohëm; nuk mund të bisedoje me të a të lexoje nga ai pa mësuar diçka të rëndësishme prej tij.
Nga gjeopolitika botërore te e drejta ndërkombëtare publike, nga historia e Ballkanit e shekullit XX te të drejtat e njeriut në vendin tonë, nga analizat e mprehta politike te mbrojtja e territorit të Kosovës nga ‘demarkacioni’, kontributi i Prof. Zejnullah Grudës rron me ne, librat e tij do të jenë përherë nëpër bibliotekat tona publike e private, kurse kujtimi për të përjetë i pashlyeshëm.
Ngushëllime familjes, studentëve e profesorëve, dhe mbarë popullit tonë. /InLajmi/