Situata epidemiologjike në veri të Kosovës është përkeqësuar në krahasim me javën e kaluar, ku numri i të hospitalizuarve pothuajse u dyfishua.
Kështu ka deklaruar për Radio Kontakt Plus ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Shëndetësore në veri të Mitrovicës, Zlatan Elek.
Ai thotë se vaksinimi nuk duhet të shmanget, dhe se është e nevojshme që të respektohen të gjitha masat e përshkruara epidemiologjike.
Sipas tij, fakti që situata epidemiologjike është jashtëzakonisht serioze tregon edhe se 100 persona aktualisht janë të shtruar në Qendrën Shëndetësore në veri të Mitrovicës, nga të cilët dy pacientë janë në aparate për frymëmarrje, dhe 43 janë në mbështetje të oksigjenit.
Të gjithë këta pacientë kanë pneumoni, një pamje të rëndë klinike, pneumoni bilaterale, përfshirë sëmundjet shoqëruese, shpjegon ai.
“Janë 100 pacientë të tillë për momentin. Kapacitetet tona janë 180 “, thekson Elek dhe shton se në mesin e të shtruarve në spital ka njerëz që vijnë nga zonat e banuara me shumicë serbe.
Ai beson se shkaku i situatës së përkeqësuar epidemiologjike është mosdisiplinimi i qytetarëve.
“Kjo do të thotë që ne nuk u përmbahemi masave të Shtabit të Krizave. Sapo numrat filluan të na binin, ne filluam të mblidheshim në kafene, restorante… nuk mbanim pajisje mbrojtëse – maska, dorëza, nuk mbanim distancë fizike dhe ja çfarë kemi arritur Kemi arritur një rritje të këtij numri, i cili kërcënon të vazhdojë të rritet, nëse vazhdojmë të sillemi kështu ”, paralajmëron mjeku serb,
Përveç respektimit të masave të përshkruara epidemiologjike, vaksinimi, sipas tij, është thelbësor në marrjen e imunitetit kolektiv, domethënë, në luftën kundër COVID-19, transmeton Klan Kosova.
Ai shton se katër vaksina janë aktualisht në dispozicion të qytetarëve – Pfizer, Sinofarm, Astra-Zeneca dhe Sputnik V.