Nën përkujdesjen e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe në mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe UN WOMEN-it, do të organizohet “Java për të Drejtat e viktimave të krimit”, e cila mbahet më 21 dhe 22 tetor.
Këtë vit shënohet 10-vjetori i “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me ç‘rast do të organizohet konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi për nder të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimi” është zotuar se angazhimi i tij si kryeprokuror i Shtetit dhe i të gjithë mekanizmave relevantë nuk do të mungojë që rastet e viktimave të krimit të trajtohen drejt gjatë gjithë procedurave, ndërsa kryerësit të marrin dënimet meritore, shkruan indeksonline.
“Si kryeprokuror i Shtetit vlerësoj që në ballë të kësaj Jave nëpër vite kemi vënë në prioritet të drejtat e viktimave, por edhe një paralajmërim serioz për shkelësit e të drejtave të viktimave të krimit, sepse këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe, si të tilla, duhet mbrojtur me çdo kusht nga institucionet shtetërore”, është shprehur Lumezi.