Reshjet e borës kanë përfshirë Qarkun e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës, ndërkohë autoritetet janë angazhuar për normalizimin e qarkullimit pas vështirësive të shkaktuara edhe nga prezenca e ngricave.
Në Shqipëri vazhdon moti i keq me reshje bore dhe shiu, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në akset rrugore të vendit.
Reshjet e borës kanë përfshirë Qarkun e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës, ndërkohë autoritetet janë angazhuar për normalizimin e qarkullimit pas vështirësive të shkaktuara edhe nga prezenca e ngricave.
Pavarësisht problemeve në akset rrugore rurale, Tirana është mbuluar nga bora duke sjellë një atmosferë të veçantë për banorët e kryeqytetit.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se si rezultat i reshjeve të borës ka pasur problematika në disa akse rrugore, ku disa prej tyre janë bllokuar për qarkullimin.
Për normalizimin e situatës janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, për të ndihmuar lëvizjen e qytetarëve në njësitë administrative që janë bllokuar nga reshjet e shiut dhe të borës.
Autoritetit Rrugor Shqiptar në rrjetet sociale ka njoftuar se gjatë natës reshjet e borës kanë vazhduar pothuajse në të gjithë territorin e vendit, shoqëruar edhe me erë të fortë e temperatura shumë të ulëta.
Nga ana tjetër, nisur nga situata e krijuar për shkak të motit të keq, me prezencë të akullit, borës dhe ujit në akset rrugore nacionale dhe rurale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë u ka bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet e panevojshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kujtojmë se për shkak të motit të keq institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri do të zhvillojnë mësimin online nga data 15 deri në 19 shkurt, ndërkohë që të gjitha ndeshjet e futbollit të parashikuara më 14 shkurt për kategorinë e dytë dhe të gjitha nivelet e kampionatit të moshave nuk do të zhvillohen.