Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës nga njësia rajonale e Mitrovicës-veri, kanë realizuar një operacion bastisje dhe kontrolli në 2 lokacione përcjell InLajmi.
Sipas informacionit gjatë bastisjes në këto 2 lokacione kanë konfiskuar para të cilat dyshohet se janë fituar nga shitja e drogës.
Vlera e parave të konfiskuara sipas komunikatës së PK-së tejkalon 135.800 €uro përderisa i dyshuari me inicialet (N. P.) është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Komunikata e plotë e Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës konfiskon para që dyshohet se janë fituar në mënyrë të kundërligjshme
Prishtinë, 12 shkurt 2021
Me datë 11.02.2021 hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës nga njësia rajonale e Mitrovicës-veri, pas marrjes së informatave paraprake relevante dhe bashkërendimit me autoritetet e drejtësisë, kanë realizuar një operacion bastisje dhe kontrolli në dy lokacione në Mitrovicë-veri.
Gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në (€uro, Dollar-$, Franga, Kruna, Dinar), sprej si dhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike(126 gr. marihuanë) e dedikuar për shitje, etj.
Paratë e sekuestruara dyshohet se janë të fituara nga shitja e substancave narkotike të cilat gjendeshin të vendosura nëpër zarfe:
€uro: 81.374
Dinar: 6.392.160
Dollar USA 200
Franka Zvicerane: 100
Kruna Suedeze: 300
Gjithashtu janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.
Vlera e parave të konfiskuara tejkalon 135 mijë e 800 €uro (mbi 135.800.00 €), përderisa i dyshuari me inicialet (N. P.) është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore./InLajmi/