Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit Muharrem Nitaj, ka biseduar me raportuesen e Kosovës në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, lidhur me fatin e luanit “Gjoni”, i cili mbahej në kushte joadekuate në Gjilan, përcjell InLajmi.
Nitaj e ka falënderuar Von Cramon, për interesimin e saj lidhur me fatin e luanit, ku ka treguar nëpërmjet një shkrese se kur do të transferohet luani “Gjoni” për në Holandë.
Postimi i plotë i tij:
E mirepres interesimin e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me fatin e luanit “Gjoni”, që tash e një kohë mbahet në kushte joadekuate në Gjilan.
E njoftoje opinion publik dhe znj. Von Craemon që Ministria që drejtoj i ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshem proceduralë e ligjorë për lirimin dhe transferimin e tij në një vend ku luani “Gjoni”, do të trajtohej në përputhje me normat e kërkuara.
Tashme kemi një vendim të Gjykatës për sekuestrimin dhetransferimin e tij në një vend tjetër, por fatkeqësisht Kosova nuk është nënshkruese e Konventës CITES për qarkullim ndërkufitar të llojeve të kafshëve, andaj ne kemi kërkuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë që të mundësojnë transferimin e luanit “Gjoni”, përmes Shtetit Shqiptar, prej nga dhe është kontrabanduar në Kosovë i njëjti.
Jam në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin shqiptar, Klosi, dhe me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë dhe jemi në pritje të përfundimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Shteti Shqiptar që kjo çështje të mbyllet.
Shpreh keqardhjen që një problem kaq i lehtë ka kërkuar kaq shumë kohë për t’i gjetur zgjidhje, kjo edhe për shkak të pengesave që ka shteti i Kosovës në raport me konventat e caktuara.
Njëkohësisht shpreh mirënjohjen time për Fondacionin “Four Paës” që ka shprehur gatishmërinë që të merr përsipër organizimin e transportit të luanit “Gjoni”, nga Kosova në një vend të tretë, në këtë rast në Holandë. /InLajmi/




















