Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se sloganin i tyre në këto zgjedhje, “Me Çlirimtarët” nuk është për individët, por është frymë e Kosovës.
“Nga Skenderbeu e deri këtu ka mbretëruar fryma me çlirimtarët. Edhe Hasan Prishtina, Bajram Curri e Shaban Polluzha kanë frymuar me çlirimtarët, fryma e tillë ka mbretëruar gjithmonë. Po ashtu edhe lëvizjet studentore e deri tek lufta çlirimtare kanë frymuar me çlirimtarët”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, sa të ekzistojë Kosova shtet duhet të ekzistojë fryma çlirimtare.
Ai tutje ka folur për kundërshtarët politikë, duke thënë se ata nuk kanë histori.
“Mohuesit nuk na duhen, ata të cilët mohojnë të arriturën më të madhe të këtij vendi dhe mendojnë se gjithçka fillon me ta. Si mundeni me thënë shkoi errësira e erdhi drita, vetëm se fitova unë”, ka thënë Limaj.
Limaj tha se errësira në Kosovë ka përfunduar në qershor të vitit 1999, ku janë ndarë dy epokat.
“Si munden të gjitha ato përpjekje të luftës çlirimtare, e deri te ndërtimi i shtetit të Kosovës i sheh errësirë. Për gjynah janë ata që thonë kështu”, ka thënë Limaj duke aluduar në liderin e VV-së, Albin Kurti.
“Ata ose dëshirojnë ta lënë në errësirë të kaluarën e tyre. Ata ose kanë problem me të kaluarën e tyre, ose janë aq mosmirënohjës që t’i bien vijë të kuqe të gjithë kontributit që kanë dhënë njerëzit me dekada”, ka thënë tutje lideri i Nismës.