Filmi artistik nga Kosova ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli sot bëri historinë, duke rrëmbyer 3 çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.
Lidhur me këtë sot ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.
Ajo vlerësoi se suksesi i filmit “Zgjoi” është ndër arritjet më të mëdha ndërkombëtare të kulturës dhe filmit kosovar.
“Zgjoi’ është e vërteta e Kosovës, një histori prekëse e grave të Krushës së Madhe, që rindërtuan jetën e tyre mbi dhimbjen. Këtë histori të vërtetë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, bota edhe pas 21 vitesh ka nevojë ta dëgjojë e ta rikujtojë”.
Shefja e diplomacisë kosovare ka falënderuar komunitetin e jashtëzakonshëm artistik e kulturor të Republikës së Kosovës, të cilët gjithmonë arrijnë të promovojnë Kosovën në botë, në të shumtën e herëve me vetiniciativë.
“Për arritjen e mbrëmshme përgëzoj veçanërisht regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin e saj fantastik”, tha ajo.
Për këtë ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Kosherja e Blerta Bashollit ka thyer rekorde në kategorinë dramatike të kinemasë botërore. Kosherja, e cila pason një nënë të vetme në pasluftën e luftës në Kosovë, ka mposhtur Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin Drejtues, dhe Çmimin e Audiencës në Kategorinë Dramatike të Kinemasë Botërore, duke u bërë filmi i parë në atë kategori”, shkruan ajo
Edhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i është gëzuar fitores historike të filmit “Zgjoi” në festivalin e madh amerikan “Sundance”.
Kurti shkruan në Instagram se ky është një moment historik për filmin e Kosovës dhe përgëzoi ekipin për këtë sukses.
“Edhe një moment historik për filmin e Kosovës! Me shumë gëzim e krenari e kemi pranuar lajmin për suksesin e filmit të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Filmi “Zgjoi” ka fituar shpërblimin kryesor në Sundance Film Festival në ShBA, si filmi më i mirë i vitit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mbrëmë natën vonë, shkruan Telegrafi.
“Zgjoi”, i cili është bashkëproduksion i Kosovës me Zvicrën, është shpërblyer edhe për regjinë më të mirë nga Blerta Basholli, si dhe ka marrë edhe çmimin e publikut, duke i sjellur kështu gjithsej tre shpërblime për Kosovën. Sundance Film Festival është një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, dhe ky vlerësim i lartë në arenën ndërkombëtare është gjithsesi historik për filmin tonë.