Greqia nënshkroi sot marrëveshje me vlerë disa miliardë eurosh me Francën për blerjen e 18 avionëve luftarakë Rafale të prodhuar nga Dassault. Marrëveshja prej 2,5 miliardë eurosh u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopulos, dhe homologia i tij franceze, Florence Parly në Ministrinë e Mbrojtjes.
Panagiotopulos theksoi se blerja e avionëve luftarakë “është një moment historik në bashkëpunimin e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Greqisë dhe Francës“, duke shtuar se Forca Ajrore Greke janë forcuar ndjeshëm, transmeton Lajmi.net.
Gjashtë avionët e parë të rinj do të mbërrijnë në Bazën e Forcave Ajrore “Tanagra” në korrik. “Vendet tona ndajnë shumë gjëra të përbashkëta“, tha Parly, duke theksuar se shpreson që Marina Greke do të blejë anije franceze në kontekstin e rinovimit të flotës së saj.