Departamenti i Sigurisë së Atdheut do ta pezullojë dëbimin e imigrantëve për 100 ditë, me disa përjashtime. Njoftimi për këtë vendim është pjesë e një vargu vendimesh të nënshkruara nga presidenti i ri i ShBA-së, Joe Biden, vetëm disa orë pas ardhjes në pushtet.
Përpos pezullimit të dëbimit të imigrantëve, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë mori vendim edhe për ndërprerjen e punimeve në ndërtimin e murit në kufi me Meksikën dhe për shfuqizimin e vendimeve të Trumpit sa i përket politikës së migracionit,shkruan CNN.
Në deklaratën për shtyp të Departamentit të Sigurisë së Atdheut thuhet: “Vendimi për ndërprerjen e përkohshme të dëbimeve është marrë për t’u siguruar që të ketë sistem efektiv dhe të drejtë të migracionit, të përqendruar në mbrojtjen e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë publike”. Vendimi do të zbatohet nga dita e premte, transmeton Gazeta Express.
Moratoriumi e përfshin shumicën e dëbimeve të planifikuara, por i përjashton individët që kanë ardhur në ShBA pas 1 nëntorit, personat që janë të dyshuar për terrorizëm ose spiunazh ose që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.