Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, me rastin e 39 vjetorit të vrasjes ka kujtuar vëllezërit Gervalla dhe Kadri Zekën, përcjell InLajmi
Hoxhaj tha se mbi sakrificën e 3 heronjve u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare.
“Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në3 ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë.”,shkroi ai.
Hoxhaj kujtoi edhe një varg nga Jusuf Gërvalla, duke thënë se veprat e dëshmorëve, të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të UÇK-së na shërbejnë si yjet e vetme që na ndriçojnë rrugën drejt rimëkëmbjes së dinjitetit kombëtar.
Postimi i plotë i tij:
39 vite më parë u vranë tinëzisht në Gjermani tre veprimtarët e çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Jugosllavia mendoi se duke vrarë kokat e ilegales, do ta shuante rezistencën e popullit shqiptar. Por, në të vërtetë, aty ku ranë tre veprimtarët, u lindën mijëra të tjerë.
Mbi sakrificën e tre heronjve u forcua lëvizja popullore për liri dhe më pas u krijua Ushtria Çlirimtare. Kështu, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u shndërruan në tre ideologët dhe frymëzuesit e UÇK-së dhe lirisë sonë.
“Unë nuk i shoh yjet / pështjellë në terr” thotë një varg i poetit Jusuf Gërvalla. Sot, në terrin e agjendave për rishkrimin e historisë së luftës sonë të drejtë çlirimtare, kur nuk shohim asnjë yll tjetër, veprat e dëshmorëve, të burgosurve politikë dhe luftëtarëve të UÇK-së na shërbejnë si yjet e vetme që na ndriçojnë rrugën drejt rimëkëmbjes së dinjitetit kombëtar.
PDK-ja është një parti e themeluar nga veprimtarë që vepruan në diasporë, nga të burgosurit politikë, nga luftëtarët e UÇK-së. Pra, nga shokët e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut. Prandaj, natyrshëm, si struktura të PDK-së, sot e përkujtojmë me nderim veprën e tre Heronjve të Kosovës – Jusufit, Bardhoshit e Kadriut./InLajmi/