Kosova pranon dështimin e radhës, Haradinaj sot ka kërkuar tërheqjen e aplikimit në INTERPOL për shkak të mundësive të pakta për t’u bërë pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë.
Kjo është bërë e ditur nga vet kryeministri Haradinaj i cili ka njoftuar opinionin se ka kërkuar që votimi për pranimin e Kosovës në INTERPOL të shtyhet për vitin e ardhshëm.
Kjo është cilësuar nga ekspertët si dështimi i radhës i Kosovës dhe më tutje është konsideruar edhe si papjekuri diplomatike dhe dobësi në aspektin e sigurisë.
Në anën tjetër, duket se taksa nuk ka prodhuar efektin për të cilin ishte ngritur në fuqi në nëntor të vitit të kaluar, pikërisht si kundërpërgjigje ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në INTERPOL e që rezultoi të ishte e suksesshme.
Për të diskutuar në lidhje me efektin e taksës dhe situatën në të cilën gjendet politika e jashtme e Kosovës pas kërkesës për tërheqje të aplikimit, lajmi.net ka kontaktuar njohësin e çështjeve politike, Shkodran Ramadani.
Ramadani është shprehur se Haradinaj është tërhequr për shkak se po dëshiron zbehjen e dështimit të tij në këtë pikë.
Sipas Ramadanit, taksa ka prodhuar efekte të dëmshme për Kosovën.
“Vendimi i Haradinajt për tërheqje prej aplikimit për INTERPOL vjen pasi që tani më dihet që gjasat për pranim janë shumë të vogla dhe nuk ja vlen të aplikohet në një organizatë në të cilën ti ke me dështu në përpjekje, prandaj edhe Haradinaj është tërhequr dhe po dëshiron ta zbehë dështimin e tij. Sepse, nëse taksa është vendosur për forcimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ajo përkundrazi ka prodhuar efekte të tjera me pritshmëritë që kemi pasur, sot Kosova ka mbështetje më të vogël ndërkombëtare dhe taksa vetëm sa e ka përshpejtuar dobësimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, tha Ramadani.
Pos kësaj, Ramadani është shprehur se taksa i ka përkeqësuar raportet me amerikanët dhe situatën brenda në Kosovë, kështu duke numëruar një varg momentesh që sipas tij, taksa ka prodhuar efekte negative.
“Taksa i ka dëmtuar raportet me amerikanët, e ka përkeqësuar situatën brenda pasi tani në veri të Kosovës kemi partitë politike serbe që janë shumë më pak llogaridhënëse ndaj institucioneve të Kosovës. Është zhvilluar kontrabanda e tyre në veri, pra taksa ka pasur efekte shumë negative në raport me Serbinë, për shkak se e ka dobësuar kontrollin e Kosovës në veri, e ka dobësuar pozicionin e saj ndërkombëtar, nuk e ka ndihmuar prodhimin vendor, importi ka mbetur i njëjti e çmimet janë rritur, si në aspektin ekonomik si në atë politik taksa ka bërë më shumë dëme se dobi”, tha Ramadani më tutje.
Analisti Ramadani, në pyetjen se çfarë duhet të bëjë Kosova tash e tutje në politikëne jashtme, tha se duhet të ndiqen këshillat e letrës së dërguar nga shtetet e KUINT-it.
“Tash e tutje, qysh e dimë, letra e shteteve të KUINT-it në gusht të këtij viti ka qenë që qeveria e ardhshme duhet ta heqë ose pezullojë taksën përkohësisht dhe t’i japë rast dialogut. Qeveria e ardhshme duhet të mos i përsëris gabimet e qeverisë së kaluar dhe të mos insistojnë në kryeneçësinë e kryeministrit Haradinaj, sepse me insistu dhe me këmbngul në ato qëndrime ne vetëm e dëmtojmë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Ramadani për lajmi.net.
Krejt në fund, Ramadani ka shtuar se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të fokusohet në dy çështje që sipas tij janë rikuperimi i marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të dhe rifillimi i dialogut që nënkupton heqjen ose pezullimin e taksës.
Taksa 100 për qind ndaj Serbisë nuk ka arritur të ndalë fushatën e ashpër të këtij shteti kundër Kosovës pasi Beogradi vazhdimisht ka lobuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.