Komuna e Drenasit ka menaxhuar në mënyrën më të mirë me pandeminë, kështu të paktën po konstaton kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Lladrovci në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanë aktivizuar të gjitha institucionet përgjegjëse për tu dal në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.
Por kreu i Drenasit nuk është i kënaqur me ndihmën e ofruar nga Qeveria në tejkalimin e pandemisë.
“Nuk mundem me thënë që kemi pasur ndonjë përkrahje të madhe por edhe nuk mundem me thënë që nuk kemi pasur përkrahje sepse edhe niveli qendror është gjetur para një mundësie me ndihmuar ose mos me ndihmuar, por gjithçka që kanë pasur mundësi me na ndihmuar na kanë ndihmuar. Megjithatë, ne e kemi kaluar e konsideroj se e kemi kaluar mirë. Pavarësisht që gjithmonë kam thënë se në fushën e shëndetësisë ne nuk jemi te kënaqshëm”.
Ai insiston se janë e vetmja komunë në Kosovë që ofrojnë shërbime 24 orë në dy institucione shëndetësore.
“S’kam qenë kënaqshëm, por si Komunë nuk ka në Kosovë një komunë që jep shërbime 24 orë në 2 institucione shëndetësore në QKMF në Drenas dhe QMF në Komoran, pra në Komoran e kam bëre aktive ose e kam ndërtuar QMF-në një vit para planifikimit, para kohe dhe kam filluar me dhënë shërbime për qytetarët 24 orë”.
Ndër të tjerash, ai tha se nuk kanë pasur mundësi financiarisht që t’u ndihmojë bizneseve të kësaj gjatë pandemisë, por ato i ka ndihmuar në forma të tjera.
“Ne i kemi liruar të gjitha bizneset nga taksat operative dhe është një ndihmë e mire që ka mundur ta bëjë Komuna”.
Duke folur për projekte për vitin tjetër ai shprehet i bindur se 22 fshatra të kësaj komuna do të bëhen me ujë të pijes.
“Unë po besoj që vitin e ardhshëm do ta realizojmë në qoftë se edhe nëpër fshatra rrjetet sekondare ekzistojnë të vendosura nëpër fshatra sepse rrjeti kryesor prej bazenave të Feroniklit që i quajmë ne deri tek baznenat e Kamenicës nuk ka pasur gyp, do të thotë tri ose katër herë është paguar tenderi sikur është punua”.