Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të ketë masa shtesë për festat e fundvitit.
Deri më tani në fuqi janë masat që janë marrë javë më parë ku komunat janë të kategorizuara në tri zona. Sipas këtyre masave, operatorëve ekonomikë iu ndalohet puna pas orës 19:00 në komunat që janë në zonë të kuqe, pas orës 18:00 në zonën e verdhë dhe pas orës 20:00 në zonën e gjelbër.
E bizneset kanë kërkuar që ky orar të ndryshojë. Një gjë e tillë pritet të diskohet sot në një takim konsultativ që do të ketë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramdani dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka konfirmuar mbajtjen e këtij takimi.
Tahiri ka thënë se në këtë takim do të diskutohet për shumë tema në mesin e tyre edhe për raportin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik mbi situatën epidemiologjike.
“Sot në orën 17:00 kemi një takim konsultativ me kryeministrin ku do të diskutojmë për shumë tema në mesin e tyre edhe për raportin e IKSHPK-së dhe natyrisht për masat anti-Covid”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq kryeministri Avdullah Hoti, sot gjatë ditës ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe kohore duhet të ketë kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të respektimit të masave anti-Covid, raporton Telegrafi.
Ai tha se me masat që do të merren, do te ketë kujdes që të krijohen kushte të volitshme për bizneset dhe për lëvizjen e qytetarëve, por në të njëjtën kohë të mbahet nën kontroll situata me koronavirus.