Gjykata e Lartë në Beograd miratoi një vendim për dënimin e Boshko Soldatoviqit me 15 vjet burgim për vrasjen e 9 civilëve shqiptar, më 11 nëntor 1991, në qytetin kroat të Bogdanovcit, jo shumë larg Vukovarit.
Organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, e cila merret me krimet e luftës, vlerësoi se dënimi ishte i drejtë dhe i përshtatshëm për peshën e veprës së kryer.
Gjykimi filloi më 16 janar 2020 dhe përfundoi më 8 dhjetor 2020, me miratimin e vendimit të shkallës së parë, gjë që e bën këtë procedurë shumë efikase dhe njëkohësisht një shembull të gjykimit brenda një kohe të arsyeshme. Deri më tani, kjo është procedura e shkallës së parë më e shpejta në Serbi dhe kjo praktikë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Më 12 dhjetor 2018, Prokuroria e Krimeve të Luftës ngriti një aktakuzë kundër Soldatoviqit, një anëtar i Policisë Ushtarake të Brigadës së Dytë të ish-Ushtrisë Jugosllave (JNA).
Ai akuzohej se më 11 nëntor 1991, në Bogdanovc, e cila ishte nën kontrollin e JNA-së, pranë ndërtesës së bashkësisë lokale, vrau 9 shqiptarë.
Bazuar në dëshminë e bashkëluftëtarëve të Soldatoviqit, gjykata vërtetoi se ai i kishte kryer këto vrasje, ndërsa dëshmitarët – që nuk ishin dëshmitarë okularë të drejtpërdrejtë – pretenduan se midis anëtarëve të JNA-së është thënë se këta civilë u vranë nga Soldatoviq.
Fondi për të Drejtën Humanitare kujtoi në deklaratë se Prokuroria e Krimeve të Luftës në korrik të vitit 2019 ngriti padi penale kundër komandantit të JNA-së, Dushan Lonçar për krime në Bogdanovc, sepse si komandant i brigadës, anëtar i të cilit ishte Soldatoviq, ai nuk bëri asgjë për të përcaktuar se kush vrau civilë, megjithëse ishte i pranishëm fizikisht në Bogdanovc.
Në vitin 2016, Fondi paraqiti një tjetër ankesë penale kundër Lonçar në Prokurorinë e Krimeve të Luftës për një krim të kryer në qytetin kroat të Lovas më 1991, kur Lonçar urdhëroi një sulm ndaj një “popullsie civile armiqësore”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Deri më sot, Prokuroria nuk ka filluar një hetim kundër Lonçarit për asnjëren nga këto dy krime, tha Fondi për të Drejtën Humanitare.