Konsulli i sapoemëruar i Kosovës në Pragë, Flakron Shala nuk ka treguar saktë të dhënat e përvojës së punës kur të mërkurën publikoi një status në Facebook rreth procedurave të emërimit të tij.
Bazuar në të, djali i deputetit Haxhi Shala, tha se ka përvojë 3 vjeçare si menaxher shteti për Ballkan në një kompani çeke dhe anëtar bordi.
“I gjithë ky proces është bazuar në CV-n time dhe përvojën tre vjeçare në pozitën si Menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në Kompaninë Çeke Elanor a.s.”, shkroi Shala.
Por, bazuar në të dhënat në faqen zyrtare të kompanisë “Elanor a.s”, Shala është emëruar në pozitën e menaxherit vetëm para 3 muajsh dhe atë jo për Ballkanin por për Kosovën, shkruan koha.net.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se kemi emëruar Flakron Shalën si menaxher për Kosovë të Elanor, që është efektive nga 1 gushti 2020”, thuhet në njoftimin që mban datën 4 shtator të këtij viti.