Bashkëthemeluesi i kompanisë BioNTech, Ugur Sahin pohoi se vaksina kundër COVID-19 të cilën po e zhvillojnë në bashkëpunim me gjigandin farmaceutik amerikan Pfizer, mund të dalë në përdorim para vitit të ri në SHBA dhe Europë.
‘Jemi duke punuar me shpejtësi të madhe. Ekziston një shans që të mund të marrim miratim të shpejtë nga SHBA-ja dhe Europa dhe madje të fillojmë ta shpërndajmë vaksinën muajin e ardhshëm, gjithmonë nëse të gjitha palët bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën’- tha Ugur Sahin.
Vaksina e BioNTech dhe Pfizer si dhe ajo që është duke u prodhuar nga firma amerikane Moderna kanë marrë kryesimin në garën për prodhimin e një vaksine efikase kundër Covid-19.
Të dhënat e testeve të tyre në shkallë të gjerë treguan se ishin të efektshme në masën 95%. Lajmet për zhvillimin e vaksinave kanë ushqyer shpresat se pandemisë që nisi nga Kina, ka infektuar më shumë se 56 milionë njerëz dhe ka shkaktuar mbi 1.3 milion vdekje në mbarë botën, do t`i vijë fundi, shkruan TCH.
Është vendosur që të parët, vaksinat anti covid t’i marrin punonjësit shëndetësorë, stafi dhe të moshuarit në azile pleqsh si personat e tjerë që konsiderohen si më të rrezikuar prej saj. Çmimi i vaksinës BioNTech dhe Pfizer pritet të jetë rreth 17 euro për dozë, ndërsa 28 ditë pas të parës, duhet marrë dhe një dozë e dytë.