Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka publikuar një video nga rezidenca zyrtare ku po qëndron në vetizolim, me të cilën u ka bërë thirrje personave të vetizoluar që të mbajnë distancë me njerëzit me të cilët jetojnë.
Ai ka bërë pak shaka, duke thënë se udhëzimet për koronavirusin e kanë arritur atë që janë munduar ta arrijnë armiqtë e tij politikë – arrestin shtëpiak.
“Është dita e 5 apo e 6 që jam vendosur në izolim dhe (programi) Testim dhe Përcjellje i NHS-së, i cili po bëhet edhe më i mirë, e ka arritur atë që shumë nga armiqtë e mi politikë kanë dashur ta arrijnë për shumë vjet, që të më vendosin mua nën arrest shtëpiak”, tha ai.
“E di sa frustruese mund të jetë kjo, prandaj vetëm dua t’u them të gjithëve që janë në pozicionin tim që të sigurohen se do të vazhdojnë ta mbajnë distancën sociale nga njerëzit me të cilët jetojnë. Fëmijët tuaj mund të shkojnë në shkollë, por duhet të siguroheni që ta mbani distancën”, shtoi ai.
Në fund të videos, ai i ka falënderuar të gjithë britanikët për atë që po mundohen të bëjnë dhe i ka këshilluar që të vizitojnë një faqe për përkrahje psikologjike, nëse ndihen në vështirësi, , shkruan Gazeta Express.
https://twitter.com/i/status/1330074352017149961
Ndryshe, Britania e Madhe është një ndër shtetet më të prekura nga pandemia në Evropë. Ajo ka më së shumti viktima në Evropë me mbi 54.000 të vdekur që nga fillimi i përhapjes së virusit SARS-CoV-2.