Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka njoftuar se është rrënuar një shtëpi në zonën kadastrale të Makocit, përcjell InLajmi.
“Pas ndërprerjes së punimeve, pala ka vazhduar me ndërtim pa leje, duke shkelur kështu vendimet dhe urdhëresat e përgjegjësve të zonës.”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri më tutje tregoi se drejtoria e Inspekcionit është duke mbikqyrur edhe zbatimin e masave anti-Covid dhe parandalimin e përhapjës së koronavirusit.
Postimi i plotë i tij:
Vendimet e inspektorëve duhet të respektohen
Drejtoria e Inspekcionit, përveç mbikëqyrjes së zbatimit të masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është vazhdimisht në terren me të gjitha kapacitetet edhe në sektorët tjerë.
Pavarësisht numrit të vogël të inspektorëve, i gjithë territori i Komunës së Prishtinës po mbulohet, ashtu që të evidentohen dhe pamundësohen shkeljet e ligjeve dhe rregulloreve.
Sot, Sektori i Ndërtimit ekzekutoi vendimin për rrënim një shtëpie (vilë), në zonën kadastrale të Makocit. Pas ndërprerjes së punimeve, pala ka vazhduar me ndërtim pa leje, duke shkelur kështu vendimet dhe urdhëresat e përgjegjësve të zonës.
Tek të gjitha rastet ku veprohet kësisoj, rrënimi do të jetë i pashmangshëm!/InLajmi/