Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu i ka shkruar letër shefit të BE-së në Kosovë, Tomáš SZUNYOG, për të shprehë shqetësimin lidhur me trajtimin e migrantëve që është duke iu bërë Serbia, përcjell InLajmi.
“Jemi të vetëdijshëm se numri i migrantëve të parregullt ka shënuar një rritje të dukshme. Kjo rritje ka qenë sfidë për shtetin tonë, megjithatë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për menaxhimin sa më të mirë të ndonjë fluksi të mundshëm me migrantë. Pavarësisht vështirësive të paraqitura, Qeveria e Republikës së Kosovës ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtoj në mënyrën më njerëzore, si dhe t’u ofroi migrantëve të gjitha kushtet e nevojshme, në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në letrën e Veliut.
Ministri me tej thekson se gjatë intervistave të autoriteteve tona të zhvilluara ditëve të fundit me migrantë, janë njoftuar se një numër prej rreth 400 migrantëve tanimë janë grumbulluar në afërsi të Preshevës, me qellim që të transportohen deri në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Për më tepër, të njëjtit kanë deklaruar së ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike dhe, përveç kësaj, janë kërcënuar me dhunë në rast se do të tentojnë të kthehen përsëri në territorin e Serbisë. Për veprimet e tilla të autoriteteve serbe, është raportuar edhe në mediat e ndryshme ndërkombëtare”, shkruan Veliu.
Po ashtu ministri shprehë shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me këto veprime të shtetit serb, të cilat janë në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të cilat garantojnë të drejtat e njeriut dhe të trajtimit të migrantëve.
“Një shtet që aspiron që në të ardhmen e afërt të jetë anëtare e familjes së BE-së, nuk do të duhej të ndërmerrte veprime të tilla dhe të njëjtat nuk guxojnë assesi të tolerohen”, shkruan në fund Veliu./InLajmi/