Ditën e djeshme, Lista Serbe ka kërcenuar Qeverinë Hoti duke i paralajmëruar zgjedhjet, përcjellë InLajmi.

Deklarata e Listës Serbe, vjen pasi Arben Gashi nga radhët e LDK-së tha se po sillet si opozitë.

Në një deklaratë të dhënë për Indeksonline, Igor Simiq ka thënë se Qeveria nuk po respekton marrëveshjen e koalicionit dhe për këtë arsye me shumë gjasa, do ta rrëzojnë Qeverinë e Hotit.
“Lista Serbe, përkatësisht deputetët, nuk orën pjesë në punën e Kuvendit sot dhe nuk do të marrin pjesë as në të ardhmen, sepse nuk po respektohet marrëveshja e koalicionit të cilën e kemi të nënshkruar. Ne kemi treguar në mënyrë të përsëritur dhe me konstruktivitet angazhimin tonë për të vepruar në përputhje me interesat e të gjithë qytetarëve.
Ne jemi pro interesit të qytetarëve, jemi pro zhvillimit ekonomik, dhe pro luftës ndaj pandemisë. Por, paraprakisht duhet të respektohemi si partner qeverisës. Ne e kemi marrëveshjen e nënshkruar në tavolinë dhe kërkojmë që ajo të respektohet. Për shkak të qëndrimeve ndaj Listës Serbe ne jemi duke menduar seriozisht largimin nga Qeveria”, ka thënë Simiqi.
Ndërsa sot, ka reaguar LDK-ja, kryesisht Besnik Tahiri. Në konferencë për media, ai tha se: “Qeveria është duke e bërë punën e vet, ndërsa vendimi i partive politike gjithmonë është vendimi tyre, ashtu siç kanë hyrë munden edhe me dalë por nuk di që ka ndonjë arsye. Nuk ka pasur ndonjë komunikim me qeverinë dhe përderisa nuk ka pas nuk mundem me komentu ma shumë”./InLajmi/




















