Ka përfunduar java e 10-të në elitën e futbollit kosovar, me Ballkanin që ka vazhduar me fitore.
Lideri aktual i Superligës ka triumfuar lehtësisht 4-1 ndaj Besës së Pejës në Therandë.
Prishtina nuk ka arritur të këndellet, pasi ka pësuar edhe humbjen e tretë radhazi në Skenderaj te Drenica 1-0.
Trepça ’89 i është hakmarrë Arbërisë pasi e ka mposhtur në Obiliq 1-2, teksa ndeshja që përfundoi pa fitues ishte ajo mes Gjilanit dhe Feronikelit 0-0.
Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur formacionin më të mirë të javës dhe trajnerin.
Portieri:
Arion Ymeri ka qenë i jashtëzakonshëm në fitoren e Drenicës me rezultat minimal 1-0 ndaj Prishtinës. Gardiani i kuqezinjve ka bërë disa pritje fantastike duke ruajtur epërsinë e skuadrës së tij dhe me plot meritë zë vend në 11shen startuese.
Mbrojtja:
Prince Balde vazhdon të paraqitet në mënyrë fantastike me Feronikelin dhe ai një gjë të tillë e bëri edhe në duel ndaj Gjilanit. Balde ishte i pakalueshëm në mbrojtjen e ‘Niklit’. Paraqitje të mirë në Gjilan bëri edhe Armend Halili që luajti në pozitën e mbrojtësit qendror ndaj Feronikelit. Halili u përshtat shumë mirë në këtë pozitë dhe ishte i pakalueshëm në mbrojtje. transmeton Telegrafi.
Valdo Zeqaj gjithashtu ka treguar formë të lartë ndaj Prishtinës. Mbrojtësi i Drenicës arriti ta neutralizojë sulmuesin e rrezikshëm Oto John duke ndërhyrë për mrekulli në disa raste dhe duke larguar rrezikun.