Inspektorati i Komunës së Shtimes në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë nisur një aksion për t’i inspektuar bizneset e gastronomisë, automjetet transportuese dhe qytetarët për të parë se a po respektohen vendimet e Qeverisë së Kosovës për t’i mbajtur maskat dhe distancën gjatë qarkullimit të tyre.
Ndërkohë, ky aksion ka rezultuar me shqiptimin e dhjetëra gjobave ndaj bizneseve, qytetarëve dhe kompanive transportuese për shkelje ligjore.
Shef i inspektoratit në këtë komunë Sherif Sherifi, ka thënë për KOHËN se aksioni i nisur së bashku me Policinë e Kosovës dhe do të vazhdoi edhe gjatë ditëve në vazhdim.
“Kemi marrë aksion edhe ndaj operatorëve transportues (autobusëve) të cilët i kemi gjobitur me nga 200 euro për mos mbajtje të distancës si dhe janë ndëshkuar disa persona për mos mbajtje të maskës. Po ashtu kemi kontrolluar edhe bizneset e gastronomisë dhe kafenetë e llojeve të ndryshme në të cilat kemi shqiptuar dhjetëra gjoba me nga 35 euro për mos mbajtje të maskës”, ka thënë Sherifi.