Eh!… Mbaj mend si fëmijë kohën kur në lagjen time, mund t’i numëroja në gishtërinjët e dorës së djathtë, të gjithë fqinjët e mi që kishin telefona në shtëpitë e tyre. Atëbotë, thoshin se telefoni është luks. Mirëpo, më vonë ndryshuan kohërat dhe tani telefoni u bë anëtar i ngusht, ose të themi mjet i domosdoshëm i një familjeje.
Mjafton t’i sjellim numrat dhe mund të caktojmë ndonjë takim, të kryejmë ndonjë punë, të komunikojmë me shokë dhe miq në tërë rruzullin tokësor, apo në rast nevoje t’i thërrasim zjarrfikësit ose policët, etj.
Edhepse, ndonjëherë mund të na sjellë kokëçarje, lëndime, fatkeqësi, ose shprehim dëshirën që ta hedhim nga dritarja, etj, pa telefon nuk mundemi, sepse nuk bën!?
Fqinji im Hasan Pula, me vite të tëra pat trokitur nëpër dyert e PTK-së, për një numër telefoni në shtëpi. Bile, kishte dhënë edhe ryshfet. Mirëpo, ende pa u mbushur një muaj qyshse e mori numrin, ai e hodhi telefonin nga dritarja, sepse një budalla dy javë të plota nuk e kishte lënë të bënte gjumë, gjithëherë duke i sjellur numrat e Hasanit mu në orët e pasmesnatës.
Një ditë nga një koleg i imi, mësova se baxhanaku i tij që jeton në kryeqendrën tonë Xhemë Gardhi, e kishte hedhur telefonin nga balkoni, sepse gruaja e tij Hanife hanmi, duke biseduar me orë të tëra me nënën e saj, gjithnjë e harronte gjellën, që bëhej shkrum në furrën e furrnetës elektrike. Kjo i kushtoi Xhemës bukur shtrenjtë, sepse u desh t’ia paguajë një kalimtari, (të cilit i ra telefoni në kokë), plot një muaj shërimin dhe qëndrimin në spital.
Zonja Jalldyze, bashkëshortja e një arsimtari në qytetin tim, për shkak të një cingërime të telefonit i dogji flokët dhe të dy veshët.
Ajo ishte duke i hekurosur pantollonat e burrit të saj Ademit, i cili përgatitej të shkonte në mësim, kur… cingëroi zilja e telefonit. Zonja Jalldylldyze, në vend të receptorit e ngriti hekurin dhe!… Ndjeu një dhëmbje të papërshkruar kur i dogji flokët dhe veshin e majtë. Mendoi ta thërras ndihmën urgjente, por e dogji edhe veshin e djathtë!…
E mjera zonjë, disa muaj u desht të mbajë parukë dhe të mjekohet njëherë në spital e pastaj në shtëpi.
Ka edhe shumë raste të tjera, mirëpo rasti më tragjik është ai i rahmetli haxhi efendi Sinan Basmaxhisë, i cili një ditë pasi ndjen dhëmbje të mëdha në lukth, u paraqit për vizitë te internisti në zë, dr. Shaqa. Ky menjëherë filloi ta kontrollonte haxhiun me stetoskop dhe në momentin kur i tha pacientit: “Mos merr frymë”, cingëron telefoni. Ishte zonja Dashurije, bashkëshortja e dr. Shaqës, e cila fillon t’i rrëfehet burrit për një fustan të shtrenjtë që e kishte blerë në një butik, sepse në prak ishte viti i ri. Blla, blla, blla!… Dhe, gati një dhjet minuta zgjati ky rrëfim.
Kur më vonë, internisti kthehet nga pacienti, të cilit i kishte thënë të mos merr frymë, efendi haxhi Sinan Basmaxhia, tashmë kishte “kaluar” në botën tjetër. Rahmet i past shpirti!…