Kryeminstri i Kosovës Avdullah Hoti ka kërkuar që të ketë kujdes maksimal në lidhje me pandeminë Covid-19, përcjell InLajmi.
Ai përmes rrjetit social facebook ka thënë se janë duke e shqyrtuar rrezikshmerinë e vendeve të rajonit për të marrë masa të mëtutjeshme.
Hoti është zotuar se Institucionet po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por na duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale.
Postimi i plotë i tij:
Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të covid-19
Evropa dhe vendet e rajonit tanimë janë përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë treshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve.
Institucionet tona po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por na duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale:
- SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.
- Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.
- IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.
- Në shkolla ka kontroll të shtuar.
- Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse.
- Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave.
- Në baza të rregullta javore po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në përballimin e situatës.
Por, na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK. /InLajmi/