Amir Rrahmani dhe bashkëlojtarët e tij në Napoli kanë dalë negativë në testimin për koronavirus të martën, njofton klubi i Serie A, në një kohë kur kapiteni i Kosovës u kritikua ashpër për mungesën në ndeshjet vendimtare të dardanëve këtë muaj.
Skuadra e Napolit është në vetizolim që prej javës së kaluar, pasi Piotr Zielinski dhe Eljif Elmas dolën pozitivë në testimin për Covid-19.
Napoli s’u lejua të udhëtojë drejt Torinos për ndeshjen e 4 tetorit kundër Juventusit në Serie A dhe që prej atëherë futbollistët janë urdhëruar të ngujohen.
Por të gjitha testet e bëra deri tani, përfshirë edhe atë të fundit të hënën, asnjë lojtar tjetër i Napolit nuk ka dalë pozitivë për Covid-19.
Kjo nënkupton se Napoli duhet të jetë i gatshëm të përballet me Atalantën të shtunën në ligë, përcjell GazetaMetro.
Napolitanët i kanë vazhduar stërvitjet rregullisht edhe pse në ngujim.