Mendimi i parë që njerëzit seksualisht aktivë kanë kur periodat e tyre janë vonë, është se janë shtatzëë. Sidoqoftë, përveç shtatzënisë ka shumë arsye pse periodat mund të jenë vonë, apo të mos vijnë fare.
Procesi i ovulimit dhe i menstruacioneve mbështetet në një ekuilibër delikat të hormoneve, dhe nëse këto hormone lëvizin sado pak, kjo mund të sjellë ndryshime dhe gjatë periodave.
8 arsye të mundshme pse periodat tuaja mund të jenë vonë përfshijnë:
1 – Ushqyerja me gji
Nëse jeni duke ushqyer me gji foshnjën tuaj, është e zakonshme të përjetoni mungesa të periodave.
Kjo është për shkak se ushqyerja me gji është e lidhur me nivele të larta të hormonit prolaktin. Nivelet e ngritura të prolaktinës shtypin sekretimin e dy hormoneve që janë të rëndësishme për ciklin menstrual dhe ovulimin: hormoni stimulues i gjëndrave dhe hormoni luteinizues.
Disa njerëz mund të mos kenë një cikël menstrual derisa të ndalojnë plotësisht gjidhënien.
#2 – Stresi
Stresi nuk ndikon vetëm në mirëqenien tuaj mendore. Mund të ndikojë gjithashtu në hormonet tuaja, duke sjellë një çregullim të ciklit menstrual.
Kur jeni të stresuar, keni një nivel të rritur të hormonit kortizol, i njohur gjithashtu si hormoni i stresit. Kortizoli i ngritur do të shtypë sekretimin e hormonit luteinizues (LH), i cili nga ana e tij do të ndikojë në ovulim.
Stresi gjithashtu mund të ulë nivelet tuaja të estrogjenit dhe hormoneve progesterone, të cilat mund t’i bëjnë të parregullta periodat tuaja.
Nuk është e pazakontë të përjetoni një muaj pa perioda në periudha me stres të lartë, si për shembull: provime të rëndësishme në shkollë ose punë.
3 – Ndryshimet në orarin e gjumit
Një orar i qëndrueshëm i gjumit e mban edhe programin tuaj biologjik të qëndrueshëm, por kur orari juaj i gjumit është i çrregullt, sekretimi i hormoneve nuk është aq i qëndrueshëm dhe i rregullt sa zakonisht, gjë që ndikon në sekretimin e hormoneve riprodhuese.
Nëse trupi juaj nuk po çliron hormonet që lidhen me menstruacionet, atëherë mund të keni perioda të vona ose të humbura.
Për më tepër, mungesa e gjumit mund të kontribuojë në stres, i cili, përsëri, do të çojë në një rritje të kortizolit, që gjithashtu ndikon në kohën e ciklit menstrual.
4 – Humbje peshe
Një humbje ekstreme peshe ka gjithashtu ndikimin e saj.
Kur humbni peshë, truri mund të mos sekretojë hormonin që çliron gonadotropinë (GnRH). GnRH është një hormon që kontrollon sekretimin e hormoneve të tjera të çliruara nga hipofiza, duke përfshirë hormonet si prolaktina.
Për shkak të kësaj, gjëndra e hipofizës tuaj nuk do të marrë një sinjal se ka nevojë për të sekretuar hormone riprodhuese dhe kjo do të rezultojë në perioda të vona ose të humbura.
5 – Të ushtruarit më shumë seç duhet
Ushtrimet fizike më të shpeshta seç duhet, shoqërohen me humbje peshe, që mund të ndikojë në ciklin menstrual.
Sidoqoftë, edhe nëse keni një peshë të qëndrueshme, ushtrimet e tepërta, mund të bëjnë që të humbni periodat. Për shembull, atletet femra kanë më shumë të ngjarë të kenë humbur perioda sesa jo-atletet.
6 – Shtimi i peshës
Ashtu si humbja e peshës mund të bëjë që të humbni një cikël menstrual, kështu mund të ndikojë edhe shtimi i peshës.
Indi dhjamor, ose dhjami i trupit, prodhon estrogjen. Pra, kur keni peshë të tepërt, keni estrogjen të tepërt që qarkullon në trupin tuaj, gjë që mund të ndërhyjë në proceset hormonale në trurin tuaj.
7 – Perimenopauza
Perimenopauza është koha përpara menopauzës, që po ju çon në fakt drejt saj.
Zakonisht, perimenopauza ndodh në të 40-tat.
8 – Sëmundje të padiagnostifikuara
Nëse jeni duke kaluar një periudhë të çrregullt cikli edhe pse po flini mjaftueshëm, keni një peshë të qëndrueshme, të shëndetshme, nuk jeni të stresuar rëndë dhe nuk jeni para menopauzës ose ushqyerjes me gji, është koha të konsideroni mundësi të tjera si sëmundja. Mund të jetë diabeti, tiroidet ose diçka tjetër, për këtë duhet të konsultoheni me një mjek, shkruan anabel.
Kur të vizitoni një mjek:
Nëse keni humbur 3 ose më shumë cikle menstruale radhazi, mund të keni një gjendje që quhet amenorrhea dhe duhet të caktoni një takim me gjinekologun. Dhe nëse, cikli menstrual nuk është i rregullt, këshillohet përsëri një konsultë me mjekun.