Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për çështjen e të pagjeturve, raporton InLajmi.
Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Serbia nuk i ka kthyer edhe 1643 persona dhe nuk po jep informacione për ta.
Haxhiu ka thënë se për çështjen e të pagjeturve nuk ka se çfarë diskutohet në dialog me Serbinë.
“Javët që lamë pas ne kemi dhënë qëndrimet tona në raport me zotimet e Hotit të nënshkruara në Washington. Në pikën 11 të kësaj marrëveshje thuhet se “të dyja palët zotohen që të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur, të dyja palët angazhohen që të identifikojnë dhe implementojn zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur” shtoi ajo.
Haxhiu shtoi se kryeministri Hoti me anë të atij nënshkrimi është pajtuar që të fsheh të vërtetën për Serbinë dhe krimet që ka kryer në Kosovë.
“Të pagjeturit mbeten plagë e hapur për Kosovën dhe familjarët e tyre. Të pagjeturit nuk kanë qenë asnjëherë kusht e madje as temë në dialogun me Serbinë. Kërkesat për të pagjeturit janë kërkesa që duhet të plotësohen pa kushte para çfarëdo teme tjetër” shtoi tutje
Serbia e ka obligim ndaj Kosovës, ka obligim ndërkombëtarë që të jep informacione për personat e pagjetur. Serbia duhet ti kthej ata pa asnjë kusht. Nuk ka çfarë negociohet me Serbinë për këtë.
Në anën tjetër, deputetja Saranda Bogujevci shtoi se çështja e të pagjeturve nuk është temë që negociohet./InLajmi/