Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka shprehur ngushëllime institucioneve dhe popullit kuvajtian për vdekjen e Emirit të Kuvajtit, Lartmadhërisë së Tij Sheikut Sabah Al Ahmad Al Sabah, përcjell InLajmi.
“Jemi të pikëlluar për vdekjen e Lartmadhërisë së Tij, Sheikut Sabah Al Ahmad Al Sabah. Ne i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes së tij, institucioneve dhe popullit të Kuvajtit”, ka deklaruar Ministrja Haradinaj Stublla.
Shefja e diplomacisë së Kosovës tha se Emiri Sheik Sabah Al Ahmad Al Sabah ishte një udhëheqës i nderuar që e shëndërroi Kuvajtin në një shtet modern, ishte një promovues i stabilitetit e sigurisë rajonale, dhe një mik për të gjitha kombet.
Republika e Kosovës do të nderojë trashëgiminë e Emirit Sheikh Sabah Al Ahmad Al Sabah, dhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në partneritetin dhe miqësinë e fortë me Shtetin e Kuvajtit./InLajmi/