Julius Von Boné, avokat i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafës tha se klientit të tij duhej t’i jepej një kopje e dokumentit ligjor të prokurorisë, në gjuhën shqipe.
“Besoj që në këtë do të përfshihet një aktakuzë më e saktë sepse klienti im ka marrë vetëm versionin e redaktuar të aktakuzës, nuk e di në këtë moment nëse këto janë redaktuar për shkak të masave mbrojtëse apo kush është përmendur në versionin e redaktuar, megjithatë kur të jetë e disponueshme nda duhet aktakuza e plotë. Sigurisht të gjitha këto gjëra janë shumë të reja për klientin tim. Ai ka ardhur papritur në një vend të huaj me shumë njerëz që nuk i njeh, e kanë marrë e kanë arrestuar e transferuar dhe i kanë dhënë disa dokumente në duar kështu që do t’i duhet kohë për t’u përshtatur dhe për të parë çfarë është e përshtatshme për t’u bërë në lidhje me kundërshtimin e aktakuzës”, tha mbrojtja.
Gjithashtu, ai tha se mbrojtja nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve që e kundërshtojnë juridiksionin e gjykatës.
“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve, të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës, dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha ndër të tjera mbrojtja.
Këtu u bë e ditur se seanca për vetëdeklarim do të caktohet më vonë, shkruan Lajmi.net.
Salih Mustafa u arrestua të enjten e kaluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën e tij në qershor të këtij viti. Ai akuzohet për ‘ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme’. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në prill 1999 në fshatin Zllash.