Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.
Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin gusht 2020, diaspora ka dërguar rreth 7 milionë euro më shumë sesa muaji i njëjtë i vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë se në muajin gusht 2020, në Kosovë u sollën 80.6 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 73.8 milionë euro.
Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, rreth 60 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.
Duke krahasuar periudhën shtatë mujore të vitit aktual me atë paraprak, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar 53.5 milionë euro më shumë, apo në total 606.6 milionë euro.
Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës, përcjell EO.
Për tremujorin e parë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 42.4 milionë euro, ndjekur nga Zvicra me 20.8 milionë euro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.3 milionë euro.