Presidenti Trump është i kënaqur me mënyrën se si administrata e tij menaxhoi pandeminë koronavirus.
“Për punën tonë ne vlerësohemi me 10. Po rrumbullakosim cepin e pandemisë dhe kemi bërë një punë fenomenale. Jo vetëm një punë të mirë, por një punë fenomenale”, u shpreh presidenti amerikan.
Disa nga këshilltarët e tij pretendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur pandeminë nën kontroll. Por ekspertët mjekësorë nuk dakordësohen me këtë.
“Kemi pasur mesazhe të ndryshme në gjithçka, nga maskat deri te funksionimi i disa ilaçeve për trajtim e deri te vënia në dyshim e distancimit social apo izolimit. Mendoj se kjo është një tjetër gozhdë në arkivolin e kundërpërgjigjes sonë katastrofike”, deklaroi Celine Gounder.
Sipas universitetit Johns Hopkins, shumë shtete amerikane po përjetojnë një shtim të rasteve nga java në javë. Bilanci i viktimave vijon të rritet.
“Ndonjëherë kemi perceptimin se ishte një virus i keq, ne bëmë gjithçka që mundëm dhe kjo ishte e pashmangshme. Padyshim që nuk është kështu, thjesht shikoni shembujt nëpër botë”, tha korrespondenti i CNN, Sanjay Gupta.