Pas skandalit me dosjet që u dërguan në zyrat e veteranëve të UÇK-së, Gazeta Express mëson ka dhënë dorëheqje njëri prej prokurorëve kryesorë të Hagës. Këto dosje, thuhet se kanë zbuluar emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre.
Zëvendësprokurori në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka dhënë dorëheqje, pasi mijëra dosje, që ndër të tjera, thuhet se përmbajnë emra të dëshmitarëve dhe dëshmitë e tyre, kanë rënë në dorë të veteranëve të UÇK-së.
Gazeta Express ka kontaktuar sot Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth dorëheqjes së zëvendësprokurorit, por ZPO-ja ka preferuar të mos e komentojë këtë çështje.
Për një periudhë, zëvendësprokurori Ip e ka mbajtur pozitën e Prokurorit të Specializuar, pas largimit të David Schwendiman
Në cilësinë e Prokurorit të Specializuar, Kwai Hong Ip, ka intervistuar pjesëtarë të UÇK-së që janë thirrur në Hagë si të dyshuar.
Express ka mësuar se skandali i dosjeve që u dërguan në OVL-UÇK është arsyeja e largimit të zv.prokurorit.
Ndërkaq çështja e mijëra dosjeve që organizata e vereranëve të UÇK-së thotë se u kanë ardhur në zyrë është akoma krejt mister. Nuk dihet se nga kush u sollën, por udhëheqës të organizatës thonë se ajo përmban të dhëna nga hetimet që po i kryen Tribunali Special.
Organizata e veteranëve të UÇK-së, që e kundërshton ekzistencën e Tribunalit Special, thotë se në dosjet që u kanë ardhur në zyrë janë dokumente origjinale të Tribunalit.
Zyrtarë të Speciales e kanë bastisur hy herë zyrën e OVL-UÇK-së dhe i kanë konfiskuar dokumentet që u kanë sjellë persona të maskuar dy herë brenda dy javëve.