Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e SBASHK-ut, të udhëhequr nga kryetari Rrahman Jasharaj,
Në takim u diskutuan përgatitjet që po bëjnë institucionet arsimore për fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor 2020/2021.
“Përfaqësuesit e SBAShK-ut shprehën interesim për kujdes të shtuar për mbrojtjen shëndetësore të mësimdhënësve në gjendje të rënduar shëndetësore, si dhe për procesin e testimit të një mostre të caktuar të mësimdhënësve para fillimit të vitit shkollor.
Ndërsa, ministri Likaj, ndër të tjera, i informoi përfaqësuesit e SBAShK-ut për pakon e masave të Qeverisë për mbështetjen e komunave për krijimin e kushteve për fillim të vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftimin për media.
Ministri Likaj dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut u dakorduan që të vizitojnë një numër të shkollave për të parë për së afërmi nivelin e përgatitjeve të institucioneve arsimore.
Kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj, e falënderoi ministrin Likaj për përkrahjen dhe bashkëpunimin për vit të mbarë shkollor.