Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka sqaruar se qytetarëve të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës nuk do t’u kërkohet testi për koronavirus me rastin e hyrjes në Kosovë, përcjell InLajmi.
Këtë lajm ministri Zemaj e bëri përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka takuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Postimi i plotë i tij:
Sapo u takova me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë z.Qemal Minxhozi, të cilit i konfirmova se qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, nuk u kërkohet testi për COVID-19.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është i bazuar në parimin e reciprocitetit. Si rrjedhojë, nuk kërkohen testime nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë dhe as nga bashkëqytetarët tanë nga Lugina e Preshevës.
Bashkë me ambasadorin Minxhozi, u zotuam që do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve!/InLajmi/