Disa ditë më parë, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi për shtyp ka ngritur alarmin duke njoftuar se është rishfaqur një tjetër lojë e rrezikshme në internet njëlloj sic ka qenë Balena Blu dhe Momo, lojëra të cilat kanë çuar drejt vetëvrasjes fëmijë dhe adoleshentë.
Loja e re quhet “Jonathan Galindo” i njohur edhe si “Cursed Goofy” dhe është një personazh i përshkruar si një njeri i veshur me një maskë qeni “Goofy” dhe është i lidhur me sfidën Balena Blu. Përdoruesit anonimë krijojnë profile duke përdorur emrin “Jonathan Galindo” dhe duke përdorur imazhe të ndryshme të “Cursed Goofy”, më pas iu dërgojnë mesazhe grave dhe fëmijëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, duke i pyetur ata nëse dëshirojnë të luajnë një lojë.

Nëse personat të cilët kanë marrë mesazhet do të pranojnë të luajnë, kjo sfidë mund të zgjasë 50 ditë me 50 sfida të ndryshme dhe si përfundim sfida e fundit mund t’i çojë deri në shkaktimin e vetëvrasjes. Personat më të prekur janë fëmijët e moshave nga 10 deri në 18 vjeç, të cilët bëjnë pjesë dhe në grupet më të prekshme të shoqërisë.
Së fundmi janë denoncuar edhe rastet e para në Shqipëri. TV Klan raporton se në Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë, “Alo 116”, kanë mbërritur 5 sinjalizime brenda 1 jave.




















