Ndërsa rastet e reja të koronavirusit vazhdojnë të rriten në vende të ndryshme të botës, një studim i ri tregon se gati 40 për qind e pacientëve që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19, vuanin nga diabeti.
Mes atyre personave nën 65 vjeç që kanë humbur jetën, gjysma kishin sëmundje kronike. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve analizuan më shumë se 10 mijë vdekje në 15 shtete amerikane dhe në Nju Jork, nga muaji shkurt deri në maj.
Epidemiologët thanë se përfundimet e studimit janë jashtëzakonisht të qarta dhe tregojnë ndërlikime serioze për ata që vuajnë nga diabeti.
Sipas një studimi tjetër të agjencisë “Reuters” u identifikua një normë e lartë diabeti në mesin e atyre personave që kishin vdekur nga COVID-19 në 12 shtete amerikane dhe në kryeqytetin e vendit Uashington.
Shkalla e vdekshmërisë nga diabeti në SHBA ështe rritur që nga viti 2009 dhe tejkalon shumicën e vendeve të tjera të industrializuara. Komunitetet e afrikano-amerikanëve dhe latino-amerikanëve vuajnë nga diabeti në nivele më të larta se amerikanët e bardhë dhe janë prekur gjithashtu në mënyrë joproporcionale edhe nga COVID-19.
Edhe gjatë epidemive të tjera si ajo e sarsit, e H1N1 apo MERS, pacientët që vuanin nga diabeti kanë qenë më të rrezikuarit. Megjithatë COVID-19, ka zbuluar ndërlikime të panjohura më parë pasi po zgjat më shumë dhe ka infektuar shumë më shumë njerëz sesa epidemitë e mëparshme të koronavirusit.
Studiuesit janë përpjekur prej muajsh të zbulojnë lidhjet mes diabetit dhe koronavirusit, duke zbuluar një seri dobësish, transmeton TCH.
Virusi sulmon zemrën, mushkëritë dhe veshkat, organet të dobësuara tek shumë pacientët me diabet. Sipas studime COVID-19 gjithashtu vret më shumë njerëzit e moshuar, obezët ose ata me tension të lartë, shumë prej të cilëve gjithashtu kanë diabet.