Në publikimin që është bërë në faqen e këtij institucioni, theksohen edhe disa detaje rreth mbajtjes së seancave gjyqësore në Hagë.
Aty theksohet se sallat ku do të mbahen gjykimet kanë pajisje për transmetim në tri gjuhë zyrtare.
“Që DHSK-ja të garantojë transparencën dhe t’u mundësojë njerëzve jashtë mjediseve të gjykatës duke përfshirë edhe njerëzit në rajon, që të shohin gjykimet, salla e gjyqit ka pajisje për transmetim përmes Internetit të proceseve të ardhshme në të tri gjuhët zyrtare”, thuhet në njoftimin e lëshuar, shkruan lajmi.net.
Në lidhje me punën e Speciales, ka folur edhe kryetarja e këtij misioni, Ekaterina Trendafilova.
Njoftimi i plotë i lëshuar dje nga Specialja:
Në raport theksohen arritjet kyçe për vitin 2019.
Më 2019, mbrojtësit për të dyshuarit dhe të akuzuarit dhe mbrojtësit e viktimave që përmbushin kushtet për ushtrimin e profesionit para DHSK-së, themeluan Organin Përfaqësues të Pavarur të Mbrojtësve të Specializuar.
Ndër arritjet përfshihet edhe zhvendosja në mjediset e reja me një sallë gjyqi të pajisur më së miri që mundëson masa për sigurinë e viktimave dhe dëshmitarëve.
Që DHSK-ja të garantojë transparencën dhe t’u mundësojë njerëzve jashtë mjediseve të gjykatës duke përfshirë edhe njerëzit në rajon, që të shohin gjykimet, salla e gjyqit ka pajisje për transmetim përmes Internetit të proceseve të ardhshme në të tri gjuhët zyrtare.
Kryetare Ekaterina Trendafilova deklaroi se meqenëse proceset gjyqësore do të mbahen në Hagë, “është me rëndësi madhore informimi, komunikimi dhe dialogu i hapur me njerëzit të cilët preken nga puna e gjykatës, me qëllim që ata të kuptojnë se çfarë përmban misioni ynë dhe që ne punojmë që të realizojmë drejtësinë në mënyrë të drejtë, të paanshme, të pavarur dhe transparente.”
Administratore Fidelma Donlon tha: “Publikimi i këtij raporti vjetor është dëshmi e punës së zellshme dhe përkushtimit profesional të punonjësve tanë dhe pasqyron volumin e madh të punës së kryer gjatë vitit 2019. Kam besim të plotë në gatishmërinë e Zyrës Administrative për të mbështetur gjykatësit në kryerjen e proceseve të drejta dhe efikase në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.”
Në vitin 2019 pati shtim të veprimtarisë gjyqësore në DHSK, ndër të cilat çështje të ngritura para Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, si edhe çështje lidhur me ndihmën juridike. Gjithashtu gjykatësit e DHSK-së u angazhuan gjatë gjithë vitit në veprimtari të ndryshme që përfshinë përgatitjet për proceset e afërme si edhe angazhimet gjyqësore aktuale. Ata janë të gatshëm për kryerjen e proceseve gjyqësore të drejta, efikase, të shpejta dhe të sigurta në DHSK, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Gjithashtu, vënia në përdorim e platformës për administrimin gjyqësor elektronik u bë për të siguruar administrim të efektshëm dhe të sigurt të provave dhe parashtrimeve gjyqësore.
Komunikimi me njerëzit në Kosovë dhe në rajon për mandatin dhe punën e gjykatës ka qenë një përparësi kyçe e DHSK-së që prej themelimit të saj, e ishte i tillë edhe në vitin 2019 me intensifikimin e ndjeshëm te veprimtarive komunikuese dhe ndërgjegjësuese. Në bashkëpunim me shoqërinë civile ekipi i programit për komunikim e ndërgjegjësim shkoi në Kosovë thuajse çdo muaj për biseda me studentë, profesionistë të ligjit, avokatë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, dëgjoi shqetësimet e tyre dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre. Përfaqësuesit e DHSK-së gjithashtu shpjeguan mandatin e institucionit në një program televiziv dhe në intervista të ndryshme me gazetarë vendas dhe ndërkombëtarë.