Mikrobiologu dhe Kryesuesi i Bordit Këshilldhënës për luftimin e koronavirusit Lul Raka, tha se dhënia e mesazheve se nuk ekziston virusi nga njerëzit me ndikim shkakton dëme të pariparueshme, përcjell InLajmi.
Raka pyeti se a duhet të na vdesin fëmijet tanë për ta besuar se virusi ekziston.
“Ka pasur edhe prej njerëzve të tjerë që e kanë mohuar ekzistimin e virusit. Dhënia e këtyre mesazheve nga njerëzit me ndikim publik shkaktojnë dëme të paripaueshme. A duhet të na vdesin fëmijët tanë për ta besuar se ekziston virusi? A duhet me pa në Klinikën Infektive njerëzit duke vdekur, për ta besuar që ekziston virusi?”.
Mikrobiologu i njohur foli edhe për numrin e testimeve për koronavirus
Ai tha se testimi i personave simptomatikë mund ta rrisin numrin e rasteve pozitive dhe se testimet kanë qenë shumë të lemituara deri më tani.
Raka shtoi se në menaxhimin e situatës ka pasur gabime edhe në inspektim, por tani me masat e reja të qeverisë vërehet edhe një respektim më i madh i bartjes së maskave.
“Ata që i bartin maskat ndër mjekër më mirë të mos i bartin fare. Edhe ata që e mbulojnë vetëm gojën e kanë gabim sepse duhet të mbulohet edhe hunda. Kjo është për të mirën e vetës, sepse e ruan shëndetin edhe ekonominë”.
Sipas tij hapja e klubeve të natës mund të jetë një super burim i përhapjes së rasteve./InLajmi/